Gega: Të thyejmë tabunë e 20-vjeçarëve, Partizanin e vërtetë e pres këto javë

Partizani ka një takim delikat në shtëpi ndaj flamurtarit në kuadër të javës së pestë të Kategorisë Superiore. “Demat e kuq” vijnë në këtë takim nga një barazim pa gola ndaj Laçit në transfertë, ndërsa Flamurtari nga humbja në shtëpi ndaj Skënderbeut.

Pavarësisht humbjes, trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka vlerësuar maksimalisht Flamurtarin, duke ditur se e pret një takim i vështirë. Në konferencën para ndeshjes, ai shprehet se Partizani i vërtetë do të tregohet këto javë dhe jo pas 7-8 javësh siç pretendojnë të gjitha skuadrat e tjera. Sakaq, Gega i ka vënë një theks të veçantë edhe përfshirjes së të rinjve në formacion, duke thënë se duhet thyer tabuja e 20-vjeçarëve.

Humbja e Flamurtarit ndaj Skënderbeut?
“Unë besoj se është një sfidë komplet tjetër që nuk do të ketë ndoshta anë interpretim në dëshirën e tyre, do e kalojnë atë moment. Në Tiranë do të vijnë me qëllim kryesor që të marrin maksimumin. Ne jemi përgatitur, e dimë forcën e Flamurtarit dhe besoj se është ekip shumë i mirë, por e dimë edhe forcën tonë, e respektojmë veten tonë dhe kemi qëllim vetëm fitoren”.

Forma e skuadrës?
Besoj se sa mbaroi java e katërt. Ne jemi në progres. Po punohet në të gjitha drejtimet për tu rritur. Është vetëm fillimi dhe katër ndeshjet e para e kam thënë edhe më parë që nuk e vendosin kampionatin. Nga ana fizike jemi shumë mirë, gjatë kohës, stërvitjeve mund të ketë ngacmime të vogla që ndodhin në çdo stërvitje dhe çdo klub, te Partizani bëjnë më tepër lajm, por nuk ka asgjë shqetësuese. Besoj se do të jemi të plotë në ndeshjen e nesërme.

Sulmi?
Është diçka që ne e kërkojmë, që loja e futbollit e kërkon. Janë dy faza që duhet t’i bëjmë mirë, jemi munduar, nuk ka qenë absolutisht perfekt, por jemi në rritje. Vazhdimisht i kam shpjeguar pozicionin e Hebajt por edhe kontributin e tij. Ai nuk mund të jetë i veçuar nga ekipi, nëse ekipi luan e kontribuon edhe Hebaj do rritet. Është i ri, është 20 vjeç. Jam i sigurt që do të rritet. Gjithmonë flitet për një qendërsulmues golashënues. Në fakt, në futbollin e sotëm unë besoj që në mesfushë e sipër duhet të jenë të gjithë në gjendje të godasin e shënojnë, shpresojmë ta bëjnë që në ndeshjen me Flamurtarin.

Kthimi i tifozëve?
Për ne është gjë e madhe që kthehen tifozët. Kemi disa ndeshje pa ata. Partizani nga natyra është i lidhur ngushtë me tifozët, është shtytje e madhe për ne, është nxitje. Do të shërbejë për të na karikuar që t’i kënaqim ata, shpresoj që t’ia arrijmë.

Rritja që ka ekipi?
“Besoj se çdo ndeshje ka sfidë dhe fytyrën e vet. Besoj se Partizani po konsolidohet, në logjikë, koncept dhe njohjen e njëri-tjetrit. Ka kaluar java e katërt dhe shumë njerëz thonë që nga java 7-8 shihen ekipet. Unë dua të marr maksimumin dhe në këtë periudhë që jemi, secilit në ekip, por edhe të tjerëve. Besoj se do të kemi javë të tjera ku do të bëjmë më shumë, më mirë, duke filluar nga dita e nesërme.

Problemet
Çdo ndeshje, çdo repart ka nxjerrë problemet e veta. Nuk ka asnjë ekip që në 90 minuta nuk gabon. Ne mundohemi t’i korrigjojmë gjatë stërvitjes. Deri tani kemi futur në lojë atë grup që ka qenë më optimal apo përshtatet. Çdo ndeshje ka pasur specifikat e veta në varësi të kundërshtarit. Ne jemi munduar t’i adaptojmë por duke mbajtur një mënyrë loje që ne aplikojmë në stërvitje, edhe ndaj Flamurtarit do të mundohemi të mbajmë të njëjtën mënyrë loje, por gjithsesi është interpretimi që do të bëjmë. Jemi përgatitur gjatë gjithë javës, sot do ta studiojmë në hotel me detaje dhe nesër besoj se do të bëjmë më të mirën.

Krahasimi i skuadrës së vjetër me afrimet e reja?
Ata që kanë ardhur kanë bërë mirë që kanë ardhur, por përveç tyre kemi pasur edhe aktualët. Kjo është një garë, një sfidë si në çdo biznes në jetën e përditshme. Gara është e vështirë, mes atyre që kanë ardhur dhe ekzistuesve, por besoj se në fushë do të hyjë ai që e meriton. Janë pjesë e grupit dhe kampionati është shumë i gjatë, por duhet të kenë durim dhe respektojnë pozicionet e veta. Çdo njeri të afron këtu meriton pavarësisht nga ke ardhur e kur ke ardhur. Edhe për këta është një investim nga klubi, që të gjithë të jemi të ndërgjegjshëm që është investim nga klubi që këto që kanë ardhur, të mundohemi t’u japim hapësira atyre që e meritojnë.

Puna me të rinjtë?
Unë personalisht e kam natyrën që kam dëshirë të punoj me djem të rinj sepse një 20-vjeçar nuk është shumë i ri. Duhet të thyejmë këtë tabu që 20-vjeçarëve t’u besojmë më tepër. Janë emra të rinj, unë kam marrë edhe nga ekipi i dytë dhe i të rinjve, vazhdimisht në stërvitje afroj 5-6 lojtarë që të stërviten me të rinjtë. I përdor në ndeshje në situata të ndryshme e nëse më jep besim, nuk kam asnjë problem nga mosha për ta aktivizuar.

Ndërthurja e tyre në filozofinë e klubit
Partizani është një stemë e madhe, bluze e madhe dhe ideja për të afruar 20-vjeçarët nuk është për t’i rënduar, por për t’i dhënë mundësinë për të krijuar një ide mbi bluzën dhe klubin, Në një kohë të shkurtër, ka vetëm dy muaj, nuk e kam të mundur që të gjithë të jenë të barabartë në fushë, por të paktën të trajtohen njëlloj. Të jetë mundësia, siç na është dhënë në kohën tonë, kur kemi luajtur në futboll. Ka një grup të madh që është premtues, ndaj është edhe arsyeja që i kamë afruar në ekip, sepse janë të tillë. Për të parë sforcon e një titullari dhe zënë vendin në formacion është një kohë e gjatë, por megjithatë dera është e hapur për të gjithë, do t’i presim deri në fund. Ky është një klub, edhe në anën financiare do që të rinjve të rritet dhe të merret investimi mbrapsht. Është një filiz i ri të cilin nuk mund ta realizojmë menjëherë.

Objektivi i radhës?
Unë besoj se çdo ndeshje nëse humbet, automatikisht krijohet një presion, një alarm i vogël, varet se sa një klub është në gjendje ta mbajë e menaxhojë. Nga ana e klubit bashkëpunimi është i ngushtë dhe mbahet një presion i vogël. Për ne është ndeshje vendimtare pasi është kundër Flamurtrit. Është një ndeshje që vjen pas një barazimi, nuk duhet të shkëputemi nga vendet e para dhe duhet të jemi me këtë fokus, vetëm te Flamurtari, pastaj pas dy javësh është një ndeshje e atmosferë tjetër. Do të kërkojmë që pas kësaj ndeshje të jemi 100%”, u shpreh Gega. /Vipsport.al/