Gasperini, mesazh inkurajimi për Gjimshitin: Mund të jetë e ardhmja

Berat Gjimshiti nuk e ka ende të sigurt nëse do të jetë apo jo pjesë e Atalantës në edicionin e ardhshëm, pasi kontrata e tij me këtë klub mbaron në mbyllje të edicionit. Por për trajnerin Gasperini, ai bën pjesë në grupin e lojtarëve të cilët po përgatiten për të ardhmen e klubit, ndërsa aktualisht shihen si alternativa të titullarëve.

“Dy vite më parë revolucionarizova ekipin, por tani nga të rinjtë kam fiksuar Zapatra dhe Pasaliç, duke respektuar karakteristikat që kanë. Ndërsa për pjesën tjetër duhet të jemi të kujdesshëm. Klubi ka bërë investime të mëdha për perspektivën, por tani Atalanta ka nevojë që të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të rifillojë nga ajo që di të bëjë. Ndoshta Mançini, Gjimshiti, Pesina, Valzani dhe Rigoni mund të na japin një ndihmë, por janë të gjithë elementë të perspektivës”, tha Gasperini.

Gjimshiti u afrua te Atalanta tre vite më parë falë edhe ndërmjetësimit të XhanI De Biazit, i cili asokohe bëri të mundur që lojtari i cili ishte lënë jashtë nga Zyrihu, të sistemohej në kampionatin italian. Pas dy viteve huazim, klubi vendosi që të mbante lojtarin shqiptar si alternativë në këtë sezon, për të parë nëse duhet të rinovohet marrëveshja me të apo jo. /vipsport.al/