FSHF pezullon nga detyra Armir Grimën deri në përfundim të hetimeve

Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën “arrest me burg” për Armir Grimën, trajnerin e Kombëtares e futbollit të femrave, ka lëvizur edhe FSHF, duke e pezulluar atë nga detyra deri në përfundimin  e hetimeve.

Lajmi është bërë i ditur për “Vipsport.al” nga zyrtarë të FSHF-së. Kjo e fundit i doli në mbështetje Armir Grimës, pasi u mësua lajmi se ai ishte arrestuar dhe ishte akuzuar për trukim ndeshjesh, ndërsa sot ka ndryshuar qëndrim dhe është detyruar të marrë masën e pezullimit për të.

Armir Grima ka qenë trajneri i Kombëtares së femrave në futboll, por edhe drejtues i stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Tani FSHF-së i duhet të gjejë drejtues të tjerë për të drejtuar Kombëtaren e femrave, pasi procesi gjyqësor nuk dihet sa do të zgjasë.

Ajo që bën përshtypje në lidhje me vendimin e FSHF-së është se Grima është pezulluar përkohësisht dhe jo shkarkuar, siç duhej vepruar në një rast të tillë nga një Federatë normale./ Vipsport.al/F.R