Frashëri: Kaluam momentin e vështirë, te Kukësi kam mbështetje pas çdo vështirësie

Portieri i Kukësit, Stivi Frashëri arriti të zinte një vend titullari në skuadër që sezonin e kaluar kur uli në stol Koliçin. Edhe këtë vit, Frashëri po luan rregullisht, megjithëse në disa takime u zëvendësua nga Faton Maloku.

Në një prononcim për “RTSH Sport” ai shprehet se te klubi verilindor ka mbështetje dhe i është dhënë besim e kjo gjë e ka ndihmuar.

“Pas ndeshjes së fundit me rezultatin dhe paraqitjen që zhvilluam mendoj se bëmë mirë. Pas Europës kishim luhatje në lojë por edhe në formën time personale. Përveç formës fizike, edhe besimi është i rëndësishëm. Te Kukësi më kanë mbajtur afër pas çdo problemi apo vështirësie psikologjike.

Në Superiore çdo ndeshje është e vështirë dhe ajo që mendon se është e lehtë është më problem. Nuk duhet menduar se ka ndeshje të mbyllur edhe me Kamzën duhet ta marrim seriozisht ndeshjen.

Të gjithë jemi ambientuar mirë dhe me Cuculin jemi ambientuar mirë dhe duket sikur ka kohë që ka ardhur në skuadër”, u shpreh Frashëri. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/