FOTO / Vlerat e klubeve të Superiores, Skënderbeu humbi 4 milionë euro në pak muaj

Klubi i Skënderbeut ka qenë për shumë vite dominuesi i skenës së futbollit shqiptar dhe vlera e lojtarëve të tij rritej në mënyrë të ndjeshme falë sukseseve të arritura në arnën ndërkombëtare nga korçarët. Por brenda pak muajsh, situata e klubit korçar ka ndryshuar falë vendimit të UEFA-s, pasi në verë filloi eksodi masiv i cili solli edhe fillimin e një cikli me lojtarë të rinj për sezonin aktual.

Si rrjedhojë, një klub i cili në muajin shkurt përllogaritej nga “transfermarkt” se kishte një vlerë lojtarësh prej 8,12 milionë eurosh, tani sheh vlerën totale të lojtarëve të vet të arrijë në 4,15 milionë euro. Një situatë e shkaktuar nga largimet e emrave si Soue, Lilaj, Gavazaj, Xhejms, Mici apo edhe Osmani, që kanë lënë një boshllëk të madh në radhët e kësaj skuadre.

Klubi i cili për shumë vite ishte ai që kryesonte kampionatin shqiptar sa i përket vlerës së talentit në dispozicion, aktualisht është i 5-ti në renditjen e “transfermarkt” për kampionatin shqiptar.

I pari është Kukësi, me 5,8 milionë euro, një shifër pak më e ulët se rekordi prej 6,8 milionë eurosh që vlente skuadra në verën e këtij viti.

Pastaj ndjek Flamurtari me 5,4 milionë euro (rekordi është 6 milionë euro në vitin 2011), Partizani me 5,03 milionë euro (rekordi është 7,2 milionë euro në vitin 2016 dhe Laçi me 4,93 milionë euro (rekordi është 5,1 milionë euro në shkurtin e vitit 2018). Tirana e këtij viti vlen 4,08 milionë euro, ndërsa rekordi i bardhebluve ishte vlera 7,6 milionë euro në vitin 2010. /vipsport.al/