FOTO / Vlera e lojtarëve të Superiores, dy “yjet” janë te Laçi dhe Kukësi

Dy futbollistë të huaj janë lojtarët me vlerën më të lartë të kartonit në Kategorinë Superiore, ku talenti vendas bie gjithmonë e më pak në sy. Me mbylljen e merkato së verës dhe plotësimin e listave të futbollistëve të çdo skuadre, rezulton se dy emrat e parë në listën e lojtarëve më të vlefshëm sipas portalit ‘transfermarkt’, janë dy mbrojtës, të Laçit dhe të Kukësit.

Mbrojtësi i Laçit, Sebastian Toro, i cili debutoi në ndeshjen kundër Skënderbeut në javën e tretë të Superiores, vlen 600 mijë euro sipas këtij portali dhe bëhet lojtari më i kushtueshëm i elitës së futbollit shqiptar. Të njëjtën vlerë ka edhe Uilliam Kordeiro i Kukësit, normalisht një mbrojtës i djathtë, por që është transformuar në një mesfushor në krahun e majtë në këtë sezon.

I pari i lojtarëve shqiptarë është Jurgen Bardhi i Partizanit, që mban vendin e tretë në renditje me një vlerë prej 575 mijë eurosh. Lojtari ka luajtur si zëvendësues të tre ndeshjet e këtij sezoni te Partizani, por sipas “transfermarkt” ka vlerë shumë më të lartë se lojtarë të tjerë që luajnë para tij në formacion.

Në listën e 10 më të vlerësuarve bie në sy prania e shumë futbollistëve të huaj, 5 të tillë, ndërsa përfshihet aty edhe emri i Elton Kale të cilin ky portal e përllogarit si të transferuar te Flamurtari. Gjithashtu, bie në sy se në krahasim me një vit më parë, kur kjo 10-she dominohej nga lojtarët e Skënderbeut, tani nga radhët e klubit korçar mes më të vlerësuarve janë vetëm Bregu dhe Aliti. /vipsport.al/