FOTO / Manajn e thirrën “vrasës”, por lojtari që dëmtoi e falënderon

Rei Manaj ka përjetuar sot një ditë shumë të veçantë pasi në ndeshjen mes Majorkës dhe Albacetes, ai u bë protagonist i disa episodeve të ndryshme. Fillimisht ai shënoi golin e avantazhit për skuadrën e  tij. Më pas, në fundin e pjesës së parë, një përplasje mes tij dhe Sisko Kampos bëri që ky i fundit të mbetej pa ndjenja në toke e të transportohej me ambulancë në spital.

Tifozët e Majorkës nuk ngurruan të fillonin me thirrje kundër Manajt dhe nga tribunat u dëgjuan edhe fjalët “vrasës” në adresë të tij. Ndërsa futbollisti shqiptar deklaroi pas ndeshjes së kishte marrë kërcënime me vdekje nga tifozët për atë moment, duke u justifikuar se nuk kishte bërë asgjë me dashje.

Në darkë, ka ardhur edhe shpjegimi i vetë Sisko, i cili mbetet i shtruar në spital nën kontrollin e mjekëve pasi ka pësuar një traumë të shkallës së parë në kokë pas përplasjes me sulmuesin shqiptar.

“Dua të falënderoj të gjithë ekipin, stafin teknik e mjekësor si dhe tifozët që u shqetësuan për mua dhe më kanë dhënë kurajë. Dua të them gjithashtu se lojtarët e Albacetes u interesuan për mua, Manaj i pari. Ishte një episod rastësor që ndodh në fushë. Tani mendjen te riaftësimi”, ishin fjalët e tij sa i përket kësaj çështje, duke justifikuar dhe falënderuar Manajn për solidaritetin që kishte shfaqur.

Sigurisht, këto fjalë do të heqin paksa peshën e përgjegjësisë mbi sulmuesin shqiptar, i cili pak nga pak po kthehet në një personazh me fanellën e Albacetes. /vipsport.al/