Flet Xhakomo Vrioni: Babai im qau kur shënova, debutimi si në ëndërr

Është shqiptar, ka shënuar dje kundër Italisë U21, por sot në Itali flasin të gjithë për të. Xhakomo Vrioni është kthyer në personazhin e ditës në mediat përtej Adriatikut, pasi ka shkëlqyer në miqësoren e luajtur në Kaljari, ku ai debutoi me gol në sfidën ndaj ish-shokëve të skuadrës.

Vrioni ishte pjesë e përfaqësueseve të moshave të Italisë por në fund zgjodhi të përfaqësonte vendin e origjinës dhe nuk mund ta bënte më mirë se sa dje, me një gol spektakolar të festuar me “shqiponjë”, një gjest i cili ka përlotur babain e tij në tribunë, siç ka treguar vetë futbollisti më i ri kuqezi.

“Ia kushtoj golin babait tim, Arbenit. Kur shënova ka qarë nga gëzimi, ai dhe nëna ime janë shqiptarë dhe të vesh fanellën e vendit ku ata kanë lindur për ta ishte një emocion i jashtëzakonshëm”, ka treguar Vrioni për mediat italiane ku ka shpjeguar se prej kohësh kishte filluar të mendonte për Shqipërinë dhe se asgjë nuk kishte qenë rastësore.

“Thirrja e Shqipërisë U21 nuk ishte një surprizë, që në vitin e kaluar kishim kontakte por kisha preferuar të prisja. Unë kam pasaportë të dyfishtë dhe kisha shënuar edhe me kombëtaret e moshave të Italisë U17 dhe U19. Të debutosh kështu është një ëndërr, jam me të vërtetë i lumtur.

Tani shpresoj të shënoj edhe ndaj Beneventos, do të dëshiroja që t’i dhuroja një gëzim tifozëve të Venecias”, deklaroi lojtari i cili sot është kthyer në stërvitje me skuadrën e tij. /vipsport.al/