Et’hemi tregon objektivat: Të jesh më i miri i vendit tënd, largimet nuk prishin cilësinë

Pas një fillimi jo të mirë, Kukësi arriti të marrë tri fitore radhazi ndaj Tiranës dhe Teutës në kampionat, ndërsa mundi edhe Orikun në Kupë. Në takimin e Kupës, spikati Valon Et’hemi që shënoi dy gola, ndërsa edhe në ndeshjen me Teutën, ishte titullar.

Në një prononcim për “Supersport’, Et’hemi është shprehur se pak nga pak po e merr veten, duke treguar edhe njëherë objektivat që ka skuadra e tij.

“Po ndihem mirë, shënova dy gola në Kupë dhe po marr veten dalëngadalë dhe kam minutat që i duhen një lojtari për të marrë veten. Edhe fitorja me Teutën na ka bërë mirë dhe po stërvitemi me më shumë qejf.

Janë larguar shumë lojtarë nga vjet por kanë ardhur edhe shumë cilësorë sivjet. Vjet ishim shumë të mirë, por edhe këtë sezon jemi shumë mirë pasi cilësia është ende aty.

Kamza? Nuk dua të veçoj emra pasi të gjitha ekipet janë aty-aty. Edhe Kamza është ekip për t’u respektuar pasi jemi vetëm në javën e pestë. Të përgatisim ndeshjen mirë dhe të marrim maksimumin.

Objektivat i vendos klubi dhe ne duhet t’i përmbushim. Normalisht objektiv është titulli kampion dhe kjo është dëshira individuale, të dalës kampion më i miri i vendit tënd”, u shpreh Et’hemi. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/