E zbulon “Vipsport” / Krisje te skuadra e Superiores, zv. presidenti drejt largimit nga financimi i skuadrës

Luftëtari fitoi ndaj Teutës 3-1 dhe sheh “dritë në fund të tunelit”, por duket se në klub ka edhe “ftohje” mes drejtuesve më të lartë. Nga sa bëhet e ditur, duket se marrëdhëniet mes presidentit Grigor Tavo dhe zv. presidentit Artur Dadaj nuk janë më si më parë.

Nga burime shumë të sigurta pranë klubit gjirokastrit, bëhet me dije se Dadaj, me shumë gjasa nuk do të financojë më skuadrën këtë sezon në Kategorinë Superiore. Madje, nuk është parë as në disa ndeshje që skuadra gjirokastrite ka zhvilluar, përfshi Kupën e Shqipërisë dhe kampionatin të sezonit 2018-2019.

Kujtojmë që Artur Dadaj ka investuar te gjirokastritët dhe bashkë me presidentin aktual, Grigor Tavo arritën që ta çonin ekipin edhe në Kupat e Evropës vitin e shkuar, pavarësisht se në të dyja takimet, Luftëtari u turpërua duke pësuar një “thes” me gola dhe duke zhvilluar një lojë zhgënjyese. E.S./Vipsport.al/