E zbulojnë në Itali: Murinjo donte të blinte Hysajn, por ndërroi mendje nga klauzola

Elseid Hysaj mund të kishte filluar sezonin e ri jo nën urdhrat e Karlo Ançelotit, por të Zhoze Murinjos. Ky është lajmi më i fundit që vjen nga Italia ku tregohet për marrëveshjen e dështuar mes Mançester Junajtid dhe Napolit për transferimin e tij.

Sipas “Calciomercato.com”, mbrojtësi shqiptar nuk kishte tërhequr vëmendjen vetëm të Çelsit, ku kishte shkuar ish-trajneri i tij, Mauricio Sarri, por edhe të Mançester Junajtid. Zhoze Murinjo kishte piketuar futbollistin shqiptar të cilin e shihte si një element me shumë vlerë meqë arrin të përshtatet në të dy krahët e prapavijës.

Por gjithçka u mbyll pa sukses për shkak të asaj klauzole të vendosur në kontratën e lojtarit dhe të cilën menaxheri i tij po mundohet në të gjitha mënyrat që ta heqë. Napoli nuk dëshironte të negocionte poshtë asaj shifre dhe Murinjo vendosi t’i drejtohej një tjetër elementi të ri. Ai bleu nga Porto për 19 milionë paund mbrojtësin Dalot, duke lënë Hysajn në radhët e Napolit, të paktën edhe për një vit. /vipsport.al/