E thotë edhe Pirlo: Nuk do çuditesha nëse Pogba kthehet te Juve

Andrea Pirlo e sheh mëse të mundshëm transferimin e Pol Pogba përsëri te Juventusi, klub nga i cili francezi u largua si futbollisti më i shtrenjtë në botë vetëm dy vite më parë. Aventura te Mançester Junajtid nuk ka shkuar edhe aq mirë për Pogba dhe sipas Pirlos, kthimi i tij te bardhezinjtë nuk duhet përjashtuar kurrsesi.

“Nuk do të çuditesha nëse do të kthehej te Juventusi. Kjo , pasi Juventusi po kërkon lojtarët më të mirë në qarkullim dhe nëse një lojtar largohet, nuk është e thënë që nuk do të kthehet më”, shpjegoi ai në një intervistë për “Tuttosport” ku komentoi edhe afrimin e Kristiano Ronaldos te bardhezinjtë.

“Në fillim mendoja se ishte thjesht një nga shumë thashethemet e verës, por pastaj telefonova Paratiçin dhe më tha ‘është e vërtetë, po diskutojmë me të’. I bëra komplimentet atij, Marotës dhe presidentit Anjeli. Por nuk kam asnjë nostalgji, në karrierën time kam pasur edhe më parë fatin të ndaj dhomat e zhveshjeve me shumë lojtarë që kanë fituar ‘Topin e Artë'”, theksoi Pirlo. /vipsport.al/