E ndjek Fiorentina që në gusht, portieri i Teutës drejt transferimit në Itali

Një tjetër portier shqiptar mund të kthehet në protagonist në futbollin italian në vitet në vijim. Shkruajeni diku emrin Arlis Shala se ndoshta do të dëgjoni shumë për të në të ardhmen. 18-vjeçari i cili aktualisht është pjesë e Teutës, ndiqet nga klubet e mëdha italiane dhe shumë shpejt pritet që të transferohet përtej Adriatikut pasi ka marrëveshje me një klub atje.

Shala, pjesë e përfaqësueses U19 të Shqipërisë, ka tërhequr vëmendjen e një klubi të madh si Fiorentina, por kjo e fundit nuk mund ta regjistrojë për sezonin aktual dhe t’i japë minutazhin që kërkon një lojtar me perspektivë.

Për këtë arsye, në bashkëpunim me klubin e Çezenës, po mendohet kalimi i futbollsitit në radhët e kësaj skuadre e cila pas falimentimit, rifillon gjithçka nga Seria D në këtë edicion. Atje, Shala do të ketë mundësi të luajë me ekipin e parë dhe jo me moshat, për të fituar sa më shumë eksperiencë.

Negociatat mes palëve vazhdojnë por në Itali janë të bindur se shumë shpejt Shala do të veshë fanellën e Çezenës, e nëse bind atje, do të bëhet me siguri një futbollist i Fiorentinës në të ardhmen. Portieri nuk do të ishte shqiptari i parë në historinë e Çezenës. Në radhët e këtij klubi ka luajtur për dy vite edhe trajneri i tij aktual te U19, Erion Bogdani. /vipsport.al/