E mbani mend Andrea Pirlon?! Tashmë luan ndeshje me “qira”

Të gjithë ata që mendojnë se Andrea Pirlo ka hequr dorë nga futbolli i luajtur e kanë gabim. Ish-mesfushori i kombëtares italiane, Pirlo mund të rikthehet të luajë, ndonëse për momentin flitet për një ndeshje të vetme. Sipas mediave të huaja, po bën jehonë lajmi se ish-fantazisti i Interit, Milanit dhe Juves, aktulisht 39-vjeçar dhe me profesionin e komentatorit në “Sky Sport”, është në tratativë me skuadrën gjysmëprofesioniste të divizionit të dytë australian “Avondale FC”.

Këta të fundit, nisur edhe nga eksperienca e italianit i kanë propozuar për të luajtur në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Australisë, kundër Sidnej FC, në program të mërkurën e 19 shtatorit. Megjithatë, nuk është çudi që të ketë një “po” nga Andrea Pirlo, i cili tashmë është afër të 40-tave, por një nivel si divizioni i dytë në Australi mund ta përballojë pa problem edhe duke sfiduar vitet që ka “mbi supe”.

Gjithsesi, Pirlo do të vendosë vetë nëse do e pranojë ofertën e australianëve për t’iu rikthyer edhe një herë fushave të blerta,  apo të vazhdojë të ketë në plan të parë rolin e komentatorit. /Vipsport.al/