E ka fajin Shqipëria, telashe te Napoli për Elseid Hysajn

Javët e fundit nuk mund të thuhet se kanë qenë ndër më të mirat e mundshme për Elseid Hysajn. Napoli i tij ka bërë një nisje me probleme të sezonit të ri duke treguar se është larg asaj që pret Ançeloti nga skuadra. Ndërsa me Shqipërinë, pavarësisht fitores me Izraelin dhe shiritit të kapitenit kundër Skocisë, mbrojtësi ka filluar të kritikohet pasi paraqitjet e tij nuk klasifikohen mes të shkëlqyerave sa vesh fanellën kuqezi.

Pikërisht kombëtarja mund t’i sjellë probleme futbollistit shqiptar te Napoli. Lojtari ka një dëmtim të lehtë në këmbë pasi ka luajtur të dy ndeshjet me Shqipërinë brenda pak ditësh dhe trajneri Ançeloti po mendon që ta lërë atë pushim. Në listën e lojtarëve të Napolit që iu bashkuan kombëtareve këto ditë, Hysaj me Shqipërinë, Mario Rui me Portugalinë dhe Ospina me Kolumbinë ishin tre futbollistët që luajtën 180 minuta me përfaqësueset përkatëse, të tre lojtarë që mund të nisin ndeshjet nga stoli këtë fundjavë përballë Fiorentinës.

Për Hysajn, problemi mund të jetë më i madh, pasi me afrimin e Malkui në verë, lojtari shqiptar ka një alternativë në krahun e tij që mund t’i krijojë probleme sa i përket sigurimit të formacionit. Tifozët e Napolit kërkojnë prej kohësh që futbollisti francez të luajë në vend të Hysajt pasi dhuron një lojë më ofensive. Nëse Malkui bind në takimin ndaj një skuadre si Fiorentina, për Hysajn do të bëhet e vështirë t’i rrëmbejë prapë vendin. /vipsport.al/