Disiplina e FSHF-së bën një tjetër gafë qesharake me vendimet, paralajmërime për Superioren

Komisioni i Disiplinës i FSHF-së, ndoshta unik në llojin e tij në Europë, ka dhënë një ditë para ndeshjeve të fundjavës vendimet rreth ngjarjeve të javëve të kaluara, të cilat shumë mirë mund t’i merrte dhe bënte publike gjatë periudhës së pushimit për ndeshjet e Kombëtares. Me këto vonesa, ai vazhdon të prodhojë vendime absurde, si në rastin e ndeshjes së Kupës së Shqipërisë mes KF Klosit dhe Veleçikut.

Me të drejtë, sipas rregullores, Disiplina ka marrë vendim që Klosi për mosparaqitje humbet ndeshjen në tavolinë dhe dënohet me mospjesëmarrje në Kupë në sezonin e ardhshëm. Por këtë vendim duhej ta merrte PARA se të luhej turi i dytë dhe jo dy ditë pasi Veleçiku ka zbritur në fushë përballë Skënderbeut.

Në teori, Veleçiku ka zbritur në mënyrë të paautorizuar në fushë, për sa kohë që nuk kishte dalë vendimi disiplinor nga zyrat e FSHF-së. Por ndoshta pakkujt i bën çudi një situatë e tillë, pasi nga zyrat e këtij institucioni, e sidomos nga Komisioni i Disiplinës, kanë dalë vendime edhe më absurde. /vipsport.al/

VENDIMET

  1. KF “Teuta” paralajmërohet se në rast përsëritje të hedhjes së sendeve në fushën e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplinës Sportive.
  2. KF “Luftëtari” paralajmërohet se në rast përsëritje të hedhjes së sendeve në fushën e lojës do të jetë subjekt i masave ndëshkimore që përmban Kodi i Disiplinës Sportive.
  3. Lojtari i KF “Besëlidhja” Bekim Erkoçeviq, për goditje me shkelm ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.e të KDS, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  4. Lojtari i KF “Vora”, Adnand Balliu” për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.d të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  5. Zyrtari i KF “Besa”,Kastriot Rama, për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 49/2.a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  6. KF “Turbina”,për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende ne rrethimin e fushës dhe për ofendime në kor ndaj zyrtarëve të ndeshjes, por pa shkaktuar ndërprerjen e lojës, në bazë të nenit 66/3.a të KDS, dënohet me 1(një) ndeshje pa tifozë
  7. KF ”Klosi”, për mos paraqitje në ndeshje e turit paraeleminator per Kupën e Shqipërisë me KF “Veleçiku”, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 me 0 si dhe nuk merr pjesë ne edicionin e ardhshëm të Kupës së Shqipërisë, bazuar në nenin 109/2.a); 109/2.c) të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe 55/2 të KDS.
  8. KF “Luftëtari” U-19,për mos paraqitje në ndeshje KF “Elbasani” U-19, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3 me 0, në bazë të nenit 55 të KDS.
  9. Urdhërimin e ri luajtjes së ndeshjes midis “Akademia Tiranë” U-17 dhe “Akademia Kukësi” U-17 në bazë të nenit 87 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike.
  10. Lojtari i KS“Luftëtari” U-17, Miftar Xhebra, për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.d të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
  11. Lojtari i SH.S “Pepa” U-17, Albi Gjolena, për sjellje jo sportive ndaj lojtarit kundërshtar, në bazë të nenit 48/1.d të KDS, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.