Dështon marrëveshja, nuk ka prapakthehu te Skënderbeu për ish-mesfushorin

Skuadra e Skënderbeut do të përballoje pjesën e parë të këtij sezoni me kontingjentin aktual pasi përforcimi që priste klubi në ditët e fundit, Eskerdinja, nuk do të bashkohet me korçarët. Konfirmimi ka ardhur nga vetë trajneri Orges Shehi, i cili ka zbuluar se klubi i lojtarit kishte bllokuar gjithçka.

“Një kthim pas i klubit brazilian bëri që gjithçka të prishej. Fillimisht kërkuam të blinim kartonin e lojtarit dhe ramë dakord për shumën që ata dëshironin. Por në momentin e fundit ata kthyen mendje dhe u prish gjithçka”, shpjegoi Shehi për “PS”.

Bashkë me Eskerdinjën, klubi ishte munduar të afronte edhe Ardit Krymin por pa sukses, duke mbetur kësisoj pa shumë alternativa në fazën ofensive në mesfushë. Eskerdinja luajti me korçarët në sezonin 2015-2016, duke zhvilluar me ta 31 ndeshje e realizuar 2 gola. /vipsport.al/