Cungu për “VIP Sport”: E njoh mirë Grimën, ai nuk i diskuton trukimet

Para ndeshjes me Kamzën, që do të zhvillohet nesër në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ka dalë në konferencë shtypi trajneri i Kukësit, Armando Cungu, bashkë me kapitenin Ylli Shameti. Trajneri Cungu ka besim për fitoren e radhës dhe nuk mendon se të tijtë do të pushtohen nga euforia, por ai disa herë ka thënë se e shqetëson shumë mungesa e Musollit në mesfushë.

“Gjendja e ekipit është e mirë, por kemi një dëmtim të madh si Musolli, pasi është lojtar i madh për ne dhe për grupin. Rexhinaldo do të jetë në 100%, ashtu siç ishte me Teutën. Musollin kam shqetësim, pasi kam dilemë për zgjedhjen e duhur në mesfushë dhe me alternativat që kemi, dua të bëj zgjedhjen e duhur.

Nuk besoj se kemi eufori, pasi kam ekip profesionist dhe nuk ka vend për eufori. Lojtarët janë mësuar me fitore. Gjithmonë jam i bindur për fitore dhe do të jem. Kukësi është në përmirësim të dukshëm, por çdo ekip ka nevojë për më shumë. Çdo ekip ka kualitet dhe duhet të jemi seriozë, sepse nëse jemi seriozë, do të bëjmë mirë.

Për të arritur objektiva duhet marrë seriozisht çdo ndeshje, në të kundërt do të ketë gjëra pozitive për kundërshtarin. Do të kërkojmë maksimumin në çdo ndeshje. Shameti më qetëson në mbrojtje, pasi është lider dhe trajner në fushë. Jam i shqetësuar shumë, e përsëris, për Musollin.

Stërvit 25 lojtarë dhe të gjithë duan të jenë të gatshëm dhe duhet të shfrytëzojnë momentet. Kam pasur Ylli Hoxhën dhe Manukën vite më parë dhe në javën e 3-të Manuka dëmtoi gjurin. Hoxha u bë më i kërkuari në ato vite”, u shpreh trajneri.

Ndërkohë, i pyetur nga “VIP Sport” për arrestimin e Armir Grimës, i cili ka qenë drejtor sportiv i Vllaznisë në kohën kur Cungu u emërua në krye të stolit, shkodrani është i bindur se kjo është vetëm një ngatërresë.

“E dëgjova sot nga mediat lajmin për arrestimin e Grimës dhe të them të drejtën u çudita shumë. Para se ta kem koleg, atë e kam mik dhe e njoh shumë mirë dhe kurrë me të nuk diskutohen muhabete të tilla. Them se do të ketë ndonjë ngatërresë pasi realisht, Grima është një njeri pozitiv që nuk merret me të tilla gjëra”, u shpreh Cungu. /Erjon Allarj-Vipsport.al/