Cuculi për “VIP Sport”: Pres respekt nga tifozët e Partizanit, ndaj Teutës nuk e firmos barazimin

Një nga afrimet e kësaj vere te Kukësi, ishte mbrojtësi Ardian Cuculi i cili mbylli aventurën me Shkëndijën dhe u rikthye në Kategorinë Superiore. Ai është një lojtar që e njeh mirë Superioren, duke qenë se në të kaluarën ka luajtur me Partizanin, ku edhe ishte ndër më të dalluarit.

Në një rrëfim për “Vipsport.al”, Cuculi ka folur në lidhje me ambientimin te Kukësi, ndeshjet e verilindorëve por edhe për objektivat që klubi ka.

Ambientimi?
“Jam ambientuar mirë. Të gjithë çunat pa përjashtim më kanë pritur shumë mirë gjë që ma ka bërë edhe ambientimin më të lehtë. Të gjithë në klub, kanë një harmoni shumë pozitive mes tyre.”

Ndeshja me Tiranën?
“Ishte fitore e rëndësishme me Tiranën për ecurinë e mëtejshme. Dy ndeshjet e para luajtëm mire mirëpo mungonte vetëm rezultati kështu që fitorja me Tiranën na mundësoi që të punojmë në qetësi gjatë 2 javëve pushim.”

Takimi i radhës ndaj Teutës?
“Ndeshja me Teutën është e vështirë pasi kundërshtari nuk ka pësuar humbje në këto 3 takime të para, gjithsesi në lojë janë të tre rezultatet. Në fushe futemi vetëm për të fituar por pastaj se çfarë sjell ndeshja, është çështje tjetër”.

Objektivat?
“Objektivat gjate gjithë sezoneve, Kukësit i ka vetëm për të fituar trofe dhe këtë vit shpresoj që do të fitojmë trofe. Nuk bëj ndarje mes Kupës dhe titullit kampion, por shpresoj që t’i marrim të dyja”.

I pyetur në lidhje me ekipet që i sheh si pretendente këtë sezon, Cuculi ka treguar se të gjitha skuadrat janë rritur, ndërkohë që ka treguar edhe ndryshimet që ka gjetur në futbollin shqiptar.

Ekipi që duhet mundur?
“Ekipet nuk kanë shumë diferenca në mes kështu që mund të fitojë secila ndaj secilës. E rëndësishme është që me çdo kundërshtar të futemi njëlloj dhe duhet të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirë, pavarësisht emrit që kemi përballë”.

Ndryshimet që ka gjetur pas rikthimit?
Ndryshimi është që janë rritur te gjitha ekipet pa përjashtim. Më shume janë përqendruar në aspektin profesional dhe këtë e shohim te rezultatet në Europë të ekipeve nga Kategoria Superiore”.

Natyrisht, Cuculin e pret edhe një ndeshje mjaft e veçantë në Shqipëri, pasi përballë do të ketë Partizanin, skuadër me të cilën ka luajtur për disa vite. Ai shprehet se nuk i trembet një reagimi negativ nga tifozët e kuq, duke shtuar se gëzon respekt për to.

Pritja e tifozëve?
“Nuk besoj se do të ketë reagim negativ sepse ato e dinë se futbolli i ka këto gjëra. Ashtu siç është respekti im ndaj tyre shpresoj se do jete i njëjtë edhe nga ana e tyre që do të thotë gjithçka reciproke. Gjithsesi, unë ruaj kujtime të bukura nga ajo periudhë”, u shpreh Cuculi. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/