Çezari: Kristiano Ronaldo u ndëshkua me karton të kuq vetëm se nuk është më i Realit

Graciano Çezari, ish-arbitri i njohur italian, ka folur për episodin e ndëshkimit me karton të kuq të Kristiano Ronaldos gjatë ndeshjes me Valencian. Duke folur për “Sportmediaset”, Çezari theksoi se nuk do të kishte ndodhur e njëjta gjë, nëse portugezi do të ishte ende pjesë e Realit të Madridit:

“Nëse Ronaldo do të ishte me fanellën e Realit të Madridit në atë ndeshje, nuk do të ishte ndëshkuar me karton të kuq. Është psikologjike në Europë kur gjykon Realin dhe CR7, nëse ky episod do t’i ndodhte në “Santiago Bernabeu”, nuk do të kishte marrë atë dënim”, – u shpreh ish-arbitri italian.

Ndëshkimi i Kristiano Ronaldos me karton të kuq në ndeshjen Valencia-Juventus nga gjermani Feliks Bryzh ka sjellë shumë polemika. Shumë e konsiderojnë një ndëshkim të ekzagjeruar për këtë futbollist tani që është pjesë e Juventusit, ndërsa te Reali ai ishte “imun”. Vipsport.al/F.R