Avdyli: Ndërrimi i trajnerëve i bën mirë skuadrës, Duro kërkon vetëm fitore

Një ndër lojtarët që spikati më shumë sezonin  fundit, ishte portieri i Kamzës, Ilir Avdyli i cili e nisi aty ku e ka lënë duke qenë se edhe këto javë ka qenë vendimtar me disa pritje të tijat.

Në një prononcim për “Supersport”, ish-gardiani i Shkëndijës së Tetovës është shprehur se Klodian Duro kërkon vetëm fitore nga skuadra e tij, por Avdyli pranon se ndaj Kukësit është i kënaqur edhe me barazim.

“Kukësi ka shumë cilësi në skuadër, por për ne është vetëm ndeshja e radhës dhe do të bëjmë maksimumin për të mos pasur pengje pas ndeshjes. Duro kërkon vetëm fitore por si vijnë gjërat gjatë ndeshjes nuk e kemi në dorë ne. Jemi të kënaqur edhe me barazim.

Rexhinaldo është rrezik për çdo skuadër dhe portier, por besoj se do të ma lehtësojnë punë shokët dhe do ta mbyllim siç duhet.

Çdo ndërrim trajneri sjell frymë pozitive në skuadër dhe i bën lojtarët që të japin më të mirën në fushë që të mos kenë probleme në skuadër”, u shpeh Avdyli. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/