Autokritika e Mërgjyshit: U çorientuam, nuk na kënaq kjo pikë

Trajneri i Laçit, Artan Mërgjyshi, qan pakujdesitë në minutat e parë të pjesës së dytë të ndeshjes kundër Kastriotit, kur edhe me një lojtar më shumë në fushë, e panë veten në vështirësi. Në fjalët për “SuperSport”, ai theksoi se priste më shumë nga kjo ndeshje, pasi Laçi synonte të ngjitej më lart.

“E vërtetë është që ishim më superiorë në hapësirë e mbajtje topi por nuk ishim konkret dhe nuk kishim agresivitet. I kishim mundësitë për të kaluar në avantazh, por i sfumuam. Kur Kastrioti mbeti me 10 futbollistë, nuk i menaxhuam mirë minutat dhe nga çorientimi ynë shënoi Kastrioti. Sukajn në sulm e ndihmova me postimin e Xhixhës që të kenë më shumë mundësi në qendër, por lojtarët nuk e kuptuan dhe na shënoi Kastrioti.

Treguam karakter e shënuam edhe pse ishim pak kaotik. Shënuam një gol e morëm një pikë jo të merituar, pasi donim maksimumin. Duam të jemi me grupin e skuadrave kryesuese, megjithatë është mirë që nuk po humbim.

Barazimet? Është e vërtetë që nuk po shënojmë dot pasi lojtarët e linjës së parë nuk janë në gjendje të mirë fizike si Sukaj apo Najdenov dhe po nuk patëm shumë zgjidhje do e kemi të vështirë. Kemi shënuar, por me goditje standarde dhe lojtarë nga linja e dytë. Kishim raste të pafalshme  dhe është minus që nuk morëm pikë.

Zëvendësuesit e Rexhinaldos e Uzunit
Është konstatim i saktë që nuk kam sulmues e deri sa të vijnë të linjës së parë në gjendje të mirë, do të provoj të shënojmë me goditje standarde dhe futbollistë nga linja e dytë. Është e vështirë që të zëvendësohen 100% dhe dihet që Uzuni e Rexhinaldo janë të një niveli tjetër. Uzuni iku në një kampionat tjetër, ndërsa Rexhinaldo lëviz shumë. Xhixha e Smaçi duke u stërvitur mirë mund të jenë ato që do t’i zëvendësojnë deri në një farë mase, pasi 100% është e vështirë”, u shpreh Mërgjyshi. /Vipsport.al/