Agolli mbetet në stol, Kololli i jep fitoren ekipit të shqiptarëve në Ligën e Europës

Transferta e Karabak në Lisbonë për të luajtur ndaj Sportingut vendas nuk ka qenë e lumtur për Ansi Agollin. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka parë skuadrën e tij të mundet 2-0 në këtë sfidë të parë në fazën në grupe, ndërsa vetë nuk ka mundur të japë kontributin në fushën e lojës. Trajneri i Karabak ka preferuar të mbajë në stol kapitenin e përfaqësueses shqiptare i cili në këtë sezon nuk po luan rregullisht me klubin  tij.

Benjamin Kololli ka qenë protagonisti i suksesit të Zyrih në transfertën në Larnaka kundër AEK-ut vendas. Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës ka shënuar golin e fitores 1-0 me penallti në pjesën e dytë të ndeshjes. Zyrihu është skuadra e shqiptarëve, pasi në listën e dorëzuar në UEFA me lojtarët e regjistruar për këtë skuadër, 8 janë me origjinë shqiptare edhe pse luajnë me përfaqësueset e Kosovës apo Zvicrës.

Ardin Dallku, vëllai i Armend Dallkut dhe pjesëtar i përfaqësueses së Kosovës ka luajtur 90 minuta sot në ndeshjen që skuadra e Vorskla Poltavës humbi 4-2 ndaj Arsenalit në transfertë. Edhe Amir Rrahmani luajti 90 minuta në suksesin 4-1 ndaj Fenerbahçes të Dinamos së Zagrebit, duke i bërë një start të mirë aktivitetit. Kurse Anderlehti i cili ka lënë jashtë listës së fazës së grupeve Kristal Abazajn, e ka filluar turneun me një humbje në fushën e Spartak Trnavës. /vipsport.al/

more recommended stories