Zyrtare/ Nga Skënderbeu në Greqi, edhe Emiliano Vila ndjek rrugën e Sahitit

E ardhmja e mesfushorit të Skënderbeu, Emiliano Vila do të vazhdojë në kampionatin grek, duke qenë se ditën e sotme ai është prezantuar me skuadrën e Korfuzit, që këtë sezon do të luajë në Ligën e Dytë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e klubit në “Facebook” dhe kështu, Vila është një tjetër futbollist që braktis korçarët në këtë merkato, pasi më parë kanë ikur dhe shumë të tjerë. I fundit që firmosi në kampionatin grek nga Skënderbeu, ishte Suad Sahiti me skuadrën e AEL Larisës.

“Korfuzi njofton se ka blerë futbollistin Emiliano Vila. 30-vjeçari që ka qenë pjesë e Skënderbeut së fundmi, ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me skuadrën tonë. Më parë, ai ka qenë pjesë e Partizanit, Inter Bakus dhe Dinamo Zagrebit, ndërkohë që ka veshur edhe fanellën e kombëtares shqiptare. I urojmë një fillim të mbarë dhe sa më shumë suksese”, shkruhej në njoftimin e klubit grek. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/