Ze Maria: Problemin e kam me skuadrat e vogla, këtu njëlloj si në Itali e Spanjë

Tirana do të luajë ndeshjen e parë në Kategorinë Superiore pas një mungese prej 1 viti dhe përballë do të ketë Kamzën. Në konferencën e parë për shtyp për këtë sezon, trajneri Ze Maria ka folur në lidhje me objektivat e skuadrës dhe për takimin ndaj Kamzës.

Ai është ndalur edhe te merkatoja e kryeqytetasve, duke e pranuar se në tre javët e para do të kërkojë vetëm pikët pasi janë ndeshje më të vështira, sidomos ato me skuadrat më të vogla.

“Deklarata se nuk do të shihet më Tiranë si ajo në humbjen ndaj Prishtinës? Po është e vërtetë që e kam thënë atë gjë. Humbëm ndaj Prishtinës pasi ishim në një ditë të keqe. Duke shtuar edhe gjendjen e skuadrës e cila ishte e rënduar pas një faze shumë të fortë dhe intensive dhe ajo paraqitje është diçka normale. Por tani, pas përgatitjeve jemi gati dhe presim të qetë startin e kampionatit.

Morali i skuadrës? Në të vërtetë nuk e njoh shumë Superioren dhe është ndeshja ime e parë por njoh shumë mirë ligat e tjera të Europës dhe mendoj që futbolli luhet i njëjtë si në Brazil si në Spanjë apo Itali. E rëndësishme është të luftosh dhe njerëzit këtu nuk e pranojnë vendin e dytë. Nesër duhet të luftojmë dhe të mendojmë vetëm se çfarë duhet të bëjmë ne. Të tregojmë forcë dhe dëshirë për fitore.

Objektivat? Le ta fillojmë një herë kampionatin. Mentaliteti këtu nuk ndryshon kurrë. Duhet të luftojmë për ngjyrat e fanellës dhe në çdo ndeshje të kërkojmë fitoren. Sigurisht që është ende shumë herët por tifozëve ju premtoj që çdo futbollist do të japi 200% të mundësive të tij. Jua kam thënë edhe lojtarëve, nëse nuk më japin 100% në stërvitje, atëherë nuk mund të luajnë me mua. Luajmë për fitore dhe ky është mentaliteti ynë.

Afrimet? Klubi më ka sjellë lojtarë me kualitet por duhet kohë për t’u përshtatur. Stërvitemi ndryshe nga ekipet e tjera dhe prandaj kërkon kohën e duhur gjithçka. Do doja edhe një sulmues pasi Ngo kërkon edhe një muaj deri në rikthimin në fushë. Moçka gjithashtu sapo erdhi. Tirana e vërtetë do të jetë pas ndeshjes së tretë. Do isha i lumtur nëse në tre ndeshjet e para tregojmë forcë dhe karakter duke marrë 3 pikët ç’ka janë më të rëndësishmet, por e vështirë do të jetë ndaj skuadrave të vogla pasi luajnë ndaj Tiranës, klubit më të madh në Shqipëri dhe gjithmonë do të tentojnë të japin më tepër për të rënë në sy.

Fanellat e reja? Uniforma është shumë e bukur. Më pëlqeu shumë. Jemi stërvitur shumë mirë dhe mentaliteti ynë, ashtu siç e thashë dhe më lart është që të zhvillojmë ndeshje të mira dhe të marrim fitore, pasi triumfet me paraqitje pozitive ngelen dhe në mendjen e tifozëve.

Fitore në derbi? Është ende herët për të folur për atë ndeshje. Kemi edhe 5 takime të tjera përpara, kështu që çdo gjë në kohën e saj”, u shpreh Ze Maria. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/