Zbulohet destinacioni i Alitit, Skënderbeu drejt një transferimi të bujshëm

Ndeshja kundër Partizanit mund të jetë e fundit e Fidan Alitit me fanellën e skuadrës së Skënderbeut, pasi mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës është pranë lamtumirës nga skuadra korçare. Futbollisti ishte në bisedime me disa klube në Rusi gjatë vitit të fundit por nuk ishte konkretizuar asgjë pavarësisht zërave për emra të ndryshëm.

Megjithatë, sot është mësuar se përfaqësuesit e mbrojtësit dhe të Skënderbeut kanë nisur negociatat me një nga klubet më të njohura në kampionatin zviceran të futbollit, Bazelin. Ky i fundit është gati që të përforcojë prapavijën në këtë sezon ku ka bërë ndryshime të mëdha dhe stafi teknik sheh Alitin si një alternativë shumë të vlefshme për të bërë një afrim cilësor.

Futbollisti nuk do ta kishte të vështirë të përshtatej me Zvicrën, pasi është rritur atje dhe është formuar në akademinë e FC Konkordia, para se të kalonte te Old Bojs e Lucerna në kampionatin zviceran. Më pas ai u transferua te Sherif Tiraspol dhe Slaven Belupo, para se t’i bashkohej Skënderbeut një vit më parë.

Transferimi i Alitit te një nga klubet më të mëdha në Zvicër që luan rregullisht në fazën e grupeve të turneve të rëndësishëm ndërkombëtarë do të ishte një tjetër marrëveshje e bujshme e finalizuar nga korçarët, të cilët vazhdojnë të bëjnë emër dhe të sigurojnë të ardhura për klubin nëpërmjet transferimeve të tilla. /vipsport.al/