Xhon Terri nuk ndalet, pranë kalimit te Sportingu i Lisbonës me Ranierin

Në moshën 37-vjeçare dhe në fund kontrate me Aston Vilën, Xhon Terri nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Ai është gati për një përvojë të re, për herë të parë jashtë Anglisë. “A Bola” bën me dije se ish-kapiteni i Anglisë dhe Çelsit është shumë pranë marrëveshjes me Sportingun, që po kalon një moment delikat, pas largimit të presidentit.

Zgjedhjet e reja për presidentin bëhen më 8 shtator dhe Terri, aktualisht me pushime me familjen në  Algarve, ka një akord me Madeira Rodrigues, kandidatin kryesor për president të Sportingut. Rodrigues ka një akord edhe me Klaudio Ranierin për postin e trajnerit, nëse fiton zgjedhjet..

Ranieri dhe Terri do të ritakoheshin kështu pas eksperiencës së tyre te Çelsi në vitet 2000-2004. Në atë kohë ishte trajneri italian  që e vlerësoi mbrojtësin e blerë nga Uest Hemi në vitin 1998. Terri sapo ishte kthyer nga huazimi te Notingem Forest dhe qëndroi në “Stamford Bridge” për 18 sezone. / Vipsport.al