Vogli: Kastrioti synon mbijetesën, jemi kundër rritjes së numrit të lojtarëve të huaj   

Ndryshe nga pjesa më e madhe e klubeve të Superiores, Kastrioti dhe Laçi nuk janë dakord që të rritet numri i të huajve në fushë gjatë sezonit të ri. Drejtori sportiv i ekipit krutan, Gazmend Vogli, e pohon këtë fakt, ndërkohë që thekson se objektivi i Kastrioti është qëndrimi në elitën e futbollit shqiptar:

“Kastrioti e ka grupin, pasi baza përbëhet nga lojtarët e sezonit të kaluar, por merkaton nuk e kemi mbyllur ende. Ne kemi afruar në ekip katër lojtarë të huaj dhe kemi arritur akordin edhe me dy të tjerë. Megjithatë, jemi kundër rritjes së numri të lojtarëve të huaj në fushë. Objektivi kryesor i Kastriotit mbetet mbijetesa”, – ka thënë për “Supersport” drejtuesi i klubit krutan.

Krutanët janë debutues në Superiore këtë sezon dhe shumë i konsiderojnë si kandidatët kryesorë për t’u kthyer andej nga erdhën, por ndryshe mendojnë drejtuesit e Kastriotit. / Vipsport.al