VIDEO/ Mungon Sadiku, në ndeshjen e Levantes shkëlqen Rei Manaj

Pas dëmtimit të sulmuesit Armando Sadiku, trajneri i Kombëtares Kristian Panuçi ndoshta mund të qetësohet, duke qenë se disa sulmues të tjerë po kalojnë një formë të mirë, duke shënuar rregullisht. Pas golit të Gurit ndaj Anderlehtit, ka ardhur radha e sulmuesit Rei Manaj për të gjetur golin e parë në Spanjë.

Skuadra e tij, Albasete ka luajtur një ndeshje miqësore përballë Levantes së Armando Sadikut dhe natyrisht, dëmtimi e ka mbajtur larg fushave bomberin nga Elbasani. Për të lënë shenjë Shqipërie në këtë takim, ka menduar Manaj, i cili ka shënuar një gol mjaft të bukur në minutën e 81.

Jason në minutën e 27 dhe Roger në të 38-ën kanë qenë autorët e golave për Levanten, ndërkohë që Karo në minutën e 46 dhe Manaj në minutën 81 kanë arritur të barazojnë shifrat, duke e çuar sfidën te “ruleta ruse”, aty ku Levante është treguar më e saktë. Edhe në goditjet e penalltive, Manaj ka arritur të tregohet i saktë duke shënuar golin e parë për skuadrën e tij. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/