VIDEO / Mbrojtje për hall, vetëm një mrekulli kualifikon Kukësin

Nëse Kukësi ëndërron të kualifikohet në play-off të Ligës së Europës, atëherë do të duhet që të mos bëjë asgjë si në ndeshjen e sotme përballë Torpedo Kutaisi, sa i përket fazës mbrojtëse ku një paraqitje tmerrësisht e dobët ka sjellë 5 gola të pësuar në portën e Frashërit dhe humbjen 5-2 në Gjeorgji.

Në pjesën e parë, kundërshtarët sulmuan gjatë gjithë kohës para Hoxhës në krahun e djathtë të mbrojtjes kuksiane dhe në çdo moment çonin topin në qendër duke gjetur me lehtësi rrjetën, ndërsa Kukësi shënoi një gol shumë të bukur me Harba e më pas shpërdoroi disa raste me Rexhinaldon.

Edhe në pjesën e dytë, gabimet nuk u korrigjuan, duke i lejuar vendasve të shënonin një tjetër gol, këtë radhë me një depërtim në qendër të Kapanadze duke lënë pas njëkohësisht 5 futbollistë të Kukësit. Penalltia e Plakut mban disi gjallë shpresat për një kualifikim të mundshëm, por në Shqipëri do të duhet ndeshja perfekte për ta arritur. Me atë që shfaqi Kukësi sot, perfeksioni është një utopi. /vipsport.al/

MINUTË PAS MINUTE

90’+3′ Mbyllet ndeshja me fitoren 5-2 të Torpedos.

90’+3′ Shameti provon me një gjysmëroveshatë, por një pritje e shkëlqyer e portierit vendas i mohon gëzimin e një goli spektakolar.

90′ Jepen tre minuta shtesë.

88′ GOOOL Kukësi, shënon Plaku. Hoxha fiton penallti pas një kontakti në zonë, Plaku ekzekuton saktësisht nga pika e bardhë duke shkurtuar përsëri diferencën.

86′ GOOOL Torpedo, shënon Kapanadze. Futbollisti i vendasve kalon njëherësh 5 lojtarë të Kukësit duke u shfaqur para Frashërit e shënuar me qetësi.

75′ Dy mundësi radhazi për Rexhinaldon para portës së Torpedos. Fillimisht sulmuesi kalon portierin por sheh gjuajtjen e tij drejt portës të devijohet në goditje nga këndi. Më pas, në ekzekutimin e saj, gjuan me kokë por pa gjetur katërkëndorin.

73′ Gjeorgjianët mundohen të ulin ritmin në këto minuta, duke qarkulluar topin më gjatë për të mbyllur ndeshjen.

67′ Tjetër mundësi për Shametin pas një goditje nga këndi, kapiteni nuk gjen kuadratin me gjuajtjen e tij me kokë.

65′ Harkim në zonë nga e djathta për Shametin i cili gjuan me kokë por nuk gjen kuadratin e portës vendase.

63′ Cungu ndryshon rreshtim dhe orienton ekipin drejt sulmit. Jashtë Dzaria dhe Çyrbja, në lojë Shkodra dhe Plaku, duke luajtur tashmë me 3 futbollistë në repartin e avancuar.

60′ Traversa shpëton portën e Kukësit nga goli i pestë. Pasimi i radhës nga e majta e sulmit të vendasve gjen të përgjumur mbrojtjen, Frashëri devijon por sfera përfundon te Laçnji i cili gjuan me portën e boshatisur por godet në mënyrë të pabesueshme traversën.

51′ Rexhinaldo shfaqet përsëri përballë portës kundërshtare, goditja e tij është shumë e dobët dhe përfundon qetësisht në duart e gardianit vendas.

48′ Çyrbja shpërthen përsëri në krahun e djathtë, vonohet duke mos arritur të futet në zonë, ndërsa harkimi i tij drejt qendrës largohet nga mbrojtja kundërshtare.

46′ Çyrbja harkon në zonë nga e djathta, Rexhinaldo ul topin për Dzaria por ky i fundit nuk arrin të devijojë para portierit.

46′ Rifillon ndeshja pa ndryshime në radhët e dy skuadrave.

45’+2′ Mbyllet pjesa e parë me avantazhin e thellë 4-1 të skuadrës vendase.

45′ Jepen 2 minuta shtesë.

43′ Rrumbullako harkon në zonë një goditje dënimi nga e majta, portieri gjeorgjian del dhe kontrollon topin duke nisur një kundërsulm të shpejtë në krahun e zakonshëm, të ndalur këtë radhë nga ndërhyrja e Musollit.

38′ Tjetër mundësi e shkëlqyer e Rexhinaldos që shpërdoron para portës. Uilliam harkon mirë nga e majta, sulmuesi me kokë dërgon sferën mbi traversë.

31′ GOOOL Torpedo, shënon Kimadze. Goli i radhës vjen nga një goditje nga këndi. Topi largohet nga mbrojtja e Kukësit por Khimadze gjuan nga jashtë zonës duke dërguar sferën në trekëndësh.

28′ GOOOL Torpedo, shënon Marin. Torpedo e ka të lehtë të shënojë më çdo aksion në krahun e majtë, ku Hoxha nuk bën farë rezistencë. Këtë radhë është Marin që gjen rrjetën pas një aksioni të shpejtë.

25′ Rexhinaldo humb një mundësi të artë për të barazuar shifrat kur shfaqet në zonë dhe gjuan jashtë, me topin që kalon ngjitur me shtyllën.

22′ GOOOL Kukësi, shënon Harba. Sulmuesi insiston në krahun e djathtë dhe lëshon një gjuajtje që kalon mbi portierin dhe ndalet në rrjetë.

15′ GOOOL Torpedo, shënon Kukhianidze. Tjetër “gropë” në krahun e djathtë të mbrojtjes. Topi shkon në qendër për Kukhianidze i cili ashtu si në minutën e dytë nuk e ka të vështirë të mposhtë Frashërin.

6′ Mundohet të dalë në sulm Kukësi, duke iu afruar portës kundërshtare por pa arritur të godasë në katërkëndor.

2′ GOOOL Torpedo, shënon Kukhanidze. Kundërsulm i shpejtë nga e majta për vendasit të cilët mbërrijnë në portë dhe Kukhianidze me një goditje të shpejtë shënon në portën e Frashërit.

1′ Fillon ndeshja me shkelmimin e parë nga skuadra e Kukësit që sulmon duke qarkulluar topin pranë portës kundërshtare.

Torpedo-Kukësi 5-2
2′, 15′ Kukhianidze, 28′ Marin, 31′ Kimadze, 86′ Kapanadze / 22′ Harba, 88′ (p) Plaku

Torpedo Kutaisi: Kvaskhvadze, Tsintsadze, Kukhianidze, Azatski, Gegetçkori, Dolidze (72′ Dafe), Kimadze, Marin, Hlinka, Kobakhidze (79′ Khurtsilava), Laçnji (66′ Kapanadze).
Trajner: K. Çkhetiani

Kukësi: Frashëri, Hoxha, Qaqi, Shameti, Rrumbullaku, Musolli, Dzaria (63′ Shkodra), Çyrbja (63′ Plaku), Uilliam (74′ Zguro), Harba, Rexhinaldo.
Trajner: A. Cungu

KV: Laçnji, Kimadze / Musolli, Qaqi

Gjyqtar: A. Sant (Maltë)

Related Posts