VIDEO / Hysaj kapiten, Napoli i nxjerr Borusias inatin e Liverpulit

Elseid Hysaj nuk lëviz nga Napoli dhe për të dhënë idenë më të qartë se sa besim ka Karlo Ançeloti te mbrojtësi shqiptar, ka mjaftuar ndeshja e sotme kundër Borusia Dortmund. Në mënyrë të papritur për të gjithë, mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka qenë ai që ka udhëhequr ekipin e tij në fushë, duke mbajtur në krah shiritin e kapitenit për këtë duel.

Një vendim i papritur ky i Ançelotit, i cili në fakt kishte hedhur në fushë nga minuta e parë shumë zgjedhje të dyta dhe i kishte besuar Hysajt rolin e liderit mes tyre në këtë sfidë mjaft interesant ndaj skuadrës gjermane.

Hysaj nuk ka zhgënjyer duke u bërë protagonist që në minutat e para pasi arriti t’i rrëmbente topin kundërshtarëve në sulm dhe të niste aksionin për Milik për golin e avantazhit që në minutën e 7. Më pas ishte Maksimoviç që shënoi në minutën e 29, për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-0.

Në pjesën e dytë, Borusia shkurtoi diferencën me FIlip në minutën e 65, vetëm 2 minuta pasi Hysaj dhe shumë të tjerë u kishin lënë vendin emrave si Hamshik, Albiol, Kulibali, Insinje e Kajehon. Ky i fundit ishte ai i cili në shtesë shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-1 që kthen optimizmin te Napoli pas disfatës së rendë 5-0 që pësoi pak ditë më parë përballë Liverpulit. /vipsport.al/