Vangjeli: Pozitive që e nisëm sezonin me trofe, tani le ta mbyllim kështu edhe në fund

Edhe pse te skuadra e Skëndërbeut pati shumë largime të lojtarëve kryesorë gjatë kësaj merkatoje vere, një nga veteranët që nuk i braktisi korçarët ishte Kristi Vangjeli.

Mbrojtësi me shumë eksperiencë bëri një tjetër ndeshje të mirë për “Ujqërit e Dëborës”, duke i ndihmuar të triumfonin në finalen e Supërkupës së Shqipërisë. Pas ndeshjes, Vangjeli u shpreh:

Erdhët te Skënderbeu më 2014-ën dhe e nisët duke fituar pikërisht Superkupën ndaj Flamurtarit. Tani sërish fitoni Superkupën me Skënderbeun…
Është bukur kur fiton me ekipin tënd, një sukses edhe personal, por edhe për skuadrën. Duke nisur sezonin e ri me trofe, është diçka pozitive. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Beson se Skënderbeu do jetë pretendent për kampionatin?
Kampionati është shumë i gjatë, duhet të jemi me këmbë në tokë. Besoj se do vijnë edhe afrime të tjera dhe do jemi ende një ekip shumë i fortë. Do vazhdojmë të kërkojmë titullin kampion.

Vendim familjar, apo sportiv, të qëndroni në Korçë?
Vendimi familjar më mirë do ishte të rrija në Selanik, por këmbëngulja e presidentit Takaj më bëri që të qëndroj në Korçë. I takon atij merita e vendimit që jam rikthyer te Skënderbeu.