Tre ndeshje titullar e pastaj direkt në Kombëtare, futbollisti i Tiranës merr ftesën

Rënia e nivelit të paraqitjeve të Tiranës dhe ulja e pretendimeve të saj në sezonet e kaluara ka bërë që klubi i cili disa vite më parë përbëntë bazën e prurjeve të kampionatit shqiptar për Kombëtaren, të dërgojë gjithnjë e më pak elementë në radhët e kuqezinjve. Ndaj për momentin, bardheblutë duhet të kënaqen me ftesat që marrin futbollistë e saj afrikanë, të cilët nuk mungojnë në grumbullimet e përfaqësueseve.

Një e tillë ka mbërritur për Junus Semtamu, lojtarin i cili do të mbajë peshën kryesore në sulmin e Tiranës në muajt e parë të sezonit, në pritje të riaftësimit të Ngoo apo të afrimit të një tjetër elementi në repartin e avancuar. Te bardheblutë ai është i padiskutueshëm në repartin e avancuar dhe pritet që të jetë titullar në tre ndeshjet e para, deri në pushimin për kombëtaret.

Futbollisti është ftuar nga përfaqësuesja e Ugandës për grumbullimin e shtatorit dhe ndeshjen që do të luajë për kualifikueset e Kupës së Kombeve të Afrikës. Uganda luan me datë 8 ndaj Tanzanisë dhe Sentamu pritet të jetë titullar edhe në përfaqësuese për takimin që zhvillohet në kuadër të fazës së grupeve. /vipsport.al/