Trajneri i Leisterit e konfirmon: Meguajër shkon nesër në Mançester

Në Angli janë orët e fundit të merkatos së verës, pasi nesër ul siparin sezoni i ri 2018-19, ku në fushë do të zbresin Mançester Junajtid përballë Lesiterit. Takimi që do të luhet në “Old Trafford” do të ketë një rëndësi të veçantë për të dyja skuadrat, të cilat do të provojnë të nisin mbarë edicionin e ri.

Përgjatë merkatos, drejtuesit e Mançesteri kanë kërkuar me çdo kusht shërbimet e mbrojtësit anglez Herri Meguajër. Mesa duket, kjo do të mbetet vetëm një dëshirë e “djajve të kuq” duke qenë se “dhelprat” nuk kanë në plan ta lënë të lirë 25-vjeçarin.

Vetë trajneri i Leisterit, Klaud Puel është shprehur se Meguajër do të shkojë nesër në Mançester, por vetëm për të përfunduar ndeshjen e më pas do të kthehet me skuadrën sërish.

“Mund të konfirmoj se Meguajër do të shkojë në Mançester.Do të qëndrojë atje dy orë dhe pasi të përfundojmë ndeshjen e së premtes ndaj Junajtidit, do të rikthehet me skuadrën”, u shpreh Puel. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/