Torpedo akuzon verilindorët: Kukësi nuk i donte vizat për lojtarët maqedonas

Si Torpedo, ashtu edhe Kukësi po hedhin akuza në distancë në lidhje me problemet që janë hasur për pajisjen me viza të lojtarëve të cilët do të shkojnë me skuadrën e Kukësit në drejtim të Tbilisit.

Verilindorët, akuzojnë Torpedon për racizëm duke u shprehur se në Gjeorgji po përballen me mungesë respekti dhe mospërfillje, ndërkohë që nga ana tjetër, gjeorgjianët shprehen se Kukësi po hedh akuza të pabaza duke qenë se ata kanë bërë gjithçka që Kukësi mos të hasë probleme, madje shtojnë se kanë arritur të pajisin me viza edhe Et’hemin dhe Maliqin, por vetë Kukësi ka refuzuar gjithçka.

“Megjithëse Kukësi po thotë shumë të pavërteta për neve, ne jemi duke punuar fort që Kuukësi të jetë i plotë në Gjeorgji dhe mos të ketë asnjë problem. Duam të falënderojmë strukturat shtetërore gjeorgjiane dhe federatën e futbollit për mbështetjen dhe për durimin e sjelljen e gazetarëve. E dimë që tifozët kërkojnë shpjegime, por duhet të besojnë te ne, pasi kemi dorëzuar raportin në UEFA dhe po sillemi sipas rregullave të UEFA-s, respektojmë futbollin dhe çdo kundërshtar.

Bëhet fjalë për rreth 4 futbollistë. Nga këto të katërt, një është nga Kosova, një nga Mozambiku dhe dy maqedonas. Sapo kemi marrë listën nga klubi shqiptar, menjëherë kemi dërguar kërkesat. Shqiptarët duhet ta dinin se Faton Maloku nga Kosova do të kishte probleme për të hyrë në Gjeorgji, gjithsesi, me durim dhe përpjepje, strukturat gjeorgjiane kanë zgjidhur gjithçka dhe kanë lejuar Malokun që të vijë me skuadrën.

Sa i përket dy futbollistëve nga Maqedonia, Kukësi e ka dërguar dy ditë përpara ndeshjes kërkesën. Menjëherë dërguam kërkesat edhe ne, por ishte e pamundur që brenda një ditë të nxirreshin vizat, pa harruar që kërkesat që na u bënë ishin gjithë gabime. Gjithsesi ne sërish arritëm t’i sigurojmë vizën, duke njoftuar Kukësin, por përgjigjja e tyre ishte se nuk kishte nevojë, pa na dhënë asnjë shpjegim.

Rexhinaldo, lojtari nga Mozambiku do të ketë mbështetje maksimale për të hyrë lehtësisht në territorin gjeorgjian. Skuadra shqiptare ndodhet në Tbilisi dhe nuk rrezikohet aspak që të mos luhet! Faleminderit për durimin dhe përkrahjen”, shkruhej në reagimin e klubit gjeorgjian i cili në këtë mënyrë ia kalon “topin” Kukësit. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/