Tifozët e Tiranës, ironi për klubin: Ëndrra më e keqe e atyre burrave të 98 viteve më parë

Klubi i Tiranës feston sot 98-vjetorin e krijimit të tij, duke qenë një nga më të vjetrit në vendin tonë. Normalisht, pritej që bardheblutë të shoqëronin këtë ditë të shënuar të klubit rekordmen me ndonjë aktivitet, siç ndodh rëndom në të gjithë botën. Por klubi është mjaftuar me një postim të thjeshtë në rrjetet sociale që ka tërbuar jo pak tifozët bardheblu.

Një nga faqet që i kushtohet tifozerisë bardheblu në rrjetet sociale, “Tiro Tifo Forum”, ka ironizuar me situatën aktuale të klubit, duke shpjeguar se kur u krijua, funksiononte më mirë sesa tani. “Harrojnë edhe datëlindjen e vet”, ishte ideja e qartë e mbështetësve bardheblu të cilët me sa duket nuk kanë ndë rmend të bëjnë paqe me klubin edhe pas kthimit në Superiore.

Postimi në Tirona Tifo Forum

98 vjet më parë, fisnikëria e qytetit themeloi Sportklub Tironën. Klubi funksiononte me një bord anëtarësh, me drejtmin me rotacion e me rregullore të mirëpërcaktuar.

Sot, në klub punojnë tre veta në kohë merkatoje, e vetëm nji (fotografi) gjatë sezonit. Harojnë dhe ditëlindjen e vet. Duhet te jetë ëndrra më e keqe e atyre burrave të 98 viteve më parë.

E megjithatë, ekipi im, plot të paaftë, plot mashtrues e dallaverexhi, është mo i miri në botë!

Gzuar ditëlindjen TIRONA IME!