Tërmet në Zvicër për “shqiponjat” dhe Behramin, bordi i federatës pranë shkarkimit

Shqiptarët bëhen protagonistë në futbollin zviceran dhe mund të sjellin brenda pak ditësh kolapsin e plotë të federatës së këtij vendi e cila nuk ka ditur të menaxhojë situatat me ta. Festimet me shqiponjë hapën “kutinë e Pandorës” me deklaratat e sekretarit të përgjithshëm që vinte në dyshim besnikërinë e lojtarëve që kishin origjinë nga vendet e tjera.

“Vula” iu vu me përjashtimin absurd me një telefonatë të Behramit, rekordmen në përfaqësuese dhe në vitet e fundit një nga idhujt e tifozëve. Kjo ka sjellë kaos dhe tashmë të gjithë kërkojnë shkarkimin e bordit drejtues të federatës.

Në mediat zvicerane qarkullon që tani emri i presidenti të ri të federatës, një biznesmen i suksesshëm i cili në të kaluarën ka drejtuar Bazelin, Bernhard Hojsler. Që nga viti 2012, deri në vitin 2017, ka qenë presidenti i Bazelit dhe në secilin prej këtyre viteve ka arritur ta shpallë kampion, duke e kthyer në superfuqinë e futbollit zviceran.

Sipas informacioneve nga Zvicra, ai është gati të marrë drejtimin e Federatës dhe ta rinovojë plotësisht, duke larguar figura si presidenti Gileron e sekretari Miesher të cilët janë akuzuar për keqmenaxhim, sidomos sa i përket situatës së fundit që kishte lidhje me futbollistët shqiptarë në përfaqësuese. /vipsport.al/