Te Luftëtari janë të sigurt, Malile: Do konfirmojmë dy sezonet e fundit

Një ndër ekipet më simpatike në dy sezonet e fundit në Kategorinë superiore, ka qenë Luftëtari që me Abazajn e Bregun (pa iu hequr meritat të tjerëve), arritën të kualifikojnë për herë të parë në histori Luftëtarin në Ligën e Europës dhe në ndeshjen që pritej të ishte debutimi i ëndrrave, gjirokastritët u turpëruan 5-0.

Ajo ndeshje, duket se është hedhur pas krahëve dhe objektiv për këtë sezon, është arritja e sukseseve që Luftëtari ka bërë në dy sezonet e fundit. Këtë e konfirmon për “Supersport” vetë zëdhënësi për shtyp i Luftëtarit, Rigels Malile i cili shprehet se do të ketë edhe afrime të tjera.

“Merkato mbyllet më datën 31 gusht. e kemi formatuar skuadrën. Mund të ketë ndonjë ndryshim surprizë. Prurjet e reja janë përshtatur mirë me ekipin që e ka ruajtur boshtin. Luftëtari do të konfirmojë atë që ka bërë në dy sezonet e kaluara

Në merkato nuk kemi pse ta fshehim që do të sjellim një tjetër sulmues, për t’ia bashkuar Shkurtajt, por ndoshta edhe një lojtar tjetër. Do të kemi një Luftëtar konkurrues.

Aventura jonë e parë në Europë nuk ishte ajo që prisnim. Ndoshta e kushtëzuar nga mungesa e eksperiencës. Kampionati është i gjatë, me sa duket po na bëhet traditë që e nisim sezonin keq, ashtu si edhe vitin e kaluar. Shpresoj ta kemi hedhur pas krahëve nisjen e keqe, dhe ta nisim me këmbën e mbarë të shtunën ndaj Kastriotit”, u shpreh Malile. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/