Te Atalanta nuk dinë çfarë të bëjnë me Gjimshitin

Berat Gjimshiti po pret ende një përgjigje nga Atalanta për të kuptuar se cila do të jetë e ardhmja e tij, ndërsa klubi ka lënë gjithçka në vendnumëro, në pritje që të mësojë nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e turneve ndërkombëtare edhe pas shtatorit apo jo.

Mbrojtësi shqiptar kërkon një sistemim për të luajtur rregullisht dhe ka një akord paraprak me Krasnodarin. Por klubi i Atalantës për momentin nuk është gati të hapë bisedimet me rusët për transferimin e mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare.

Edhe pse trajneri Gasperini nuk e sheh Gjimshitin si pjesë konkrete të planeve të tij, në klub nuk duan të largojnë një alternativë të vlefshme që mund të shërbejë në shtator nëse Atalanta do të jetë duke luajtur në tre fronte: Serinë A, kupë dhe Ligën e Europës.

Kjo është arsyeja se pse Gjimshiti nuk ka marrë një përgjigje nëse do të lejohet të largohet apo jo dhe vështirë se do të vijë një përgjigje e tillë deri në ditët e fundit të merkatos, ose më saktësisht në fundin e gushtit kur mbyllen ndeshjet play-off të Ligës së Europës. Nëse Atalanta do të ketë siguruar grupet, atëherë Gjimshiti duhet të përgatitet për një sezon në stol, duke u aktivizuar vetëm kur skuadra të ketë nevojë për rotacion. /vipsport.al/