Skënderbeu-Partizani, sfida hapëse e kampionatit gjykohet me 5 arbitra!

Kampionati i 80-të hapet sot me ndeshjen mes dy skuadrave rivale, Skënderbeut dhe Partizanit, që vitet e fundit kanë rivalizuar për titullin kampion. Ndeshja luhet sot, në orën 19:45, në qytetin e Korçës.

Kjo sfidë i është besuar arbitrit ndërkombëtar Eldorjan Hamiti, ndërsa asistentë të tij do të jenë Ergin Doda dhe Nertil Bregasi. Ndeshja do të gjykohet me 5 arbitra dhe pas porte do të jenë Olsi Sokoli dhe Orlando Kuka.

Hamiti është gjyqtari që gjykoi ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit, ku dha atë 11-metërsh të diskutueshëm në favor të korçarëve. Enea Jorgji dhe Andi Koçi nuk ishin të disponueshëm për këtë ndeshje, pasi gjykuan mbrëmë ndeshjen mes Zalgiris dhe Seviljes, bashkë me asistentët Avdo dhe Çokaj.

Kurse ndërkombëtari tjetër, Juxhin Xhaja, gjykoi pak ditë më parë ndeshjen e Superkupës mes Skënderbeut dhe Laçit. / Vipsport.al