“Sistemi Raiola” nuk funksionon në Gjermani, vëllai i Pogba nuk pranohet as në kategori të tretë

Me sa duket Mino Raiola nuk arrin t’u gjejë vende pune të gjithë familjarëve të futbollistëve që menaxhon, ose të paktën atyre të familjes Pogba. Menaxheri i cili është bërë objekt diskutimesh në rrjetet sociale që me punësimin e dy vëllezërve Donaruma te Milani, nuk ka arritur t’i gjejë një skuadër vëllait të Pol Pogba, i cili ka dështuar në testet fizike edhe në kategorinë e tretë gjermane.

27-vjeçari Matias Pogba ishte në kërkim të një skuadre për të vazhduar karrierën e tij, por ndryshe nga vëllai që u shpall kampion bote pak javë më parë, atë nuk e ndjekin klubet nga mbrapa dhe Raiola duhet ta dërgojë të bëjë testime me ekipe të ndryshme për të gjetur një vend ku të luajë.

Prova e fundit ishte me Verdingen në kategorinë e tretë gjermane, ku lojtari është larguar pas 3 ditësh stërvitje. “Matias nuk mund të ndihmonte ekipin tonë, pasi nuk është në gjendje të mirë fizike. Ai është i gjatë për një sulmues, ka prani fizike, por kishte pak kile më tepër se sa duhet”, tha trajneri i Verdingen, Stefan Kramer. /vipsport.al/