Shehi: Ndeshje rivalësh me Partizanin, “arma” jonë më e fortë është mentaliteti

Skënderbeu “i ri” pret që në javën e parë Partizanin rival dhe trajneri Orges Shehi ka një provë të vështirë në stolin korçar, para tifozëve që janë mësuar ta shohin në fushë. Në konferencën për shtyp këtë ndeshje, trajneri Shehi e konsideron sfidën me Partizanin një përballje rivalësh, ndërkohë që beson te “senatorët” se do të dinë ta udhëheqin ekipin drejt suksesi. Ja çfarë ka dhënë ai për ndeshjen e nesërme:

“Vijmë tashmë në një eveniment më të madh siç është kampionati. Kemi 5 javë që kemi nisur përgatitjet dhe një javë pas ndeshjes së Superkupës së Shqipërisë, që e mbyllëm me sukses, por tani çdo gjë ndryshon.

Formacionin nuk e kemi zbardhur, por do të bazohemi tek ata lojtarë që luajtën në Superkupë. Çdo skuadër ka objektivat e veta dhe lufton për to. Kemi përballë një rival që në javën e parë të kampionatit, pasi shorti i tillë është. Jemi të bindur që është një ndeshje e vështirë, por do të bëjmë maksimumin që të marrim maksimumin, sepse luajmë përpara tifozërisë tonë.

Një përballje rivalësh, qe e luajmë në shtëpinë tonë dhe do të bëjmë çmos që ta kalojmë me sukses. Jemi të përqendruar te kampionati, por kemi edhe prurjet e reja në ekip, lojtarët e rinj, që duan ende kohë që ne të japim një vlerësim real.

Pikat e forta të Skënderbeut, si trajner i tij, i shoh kudo, por le t’ia lëmë kohës. “Arma” jonë më e fortë është mentaliteti i të stërviturit, i të punuarit. Kemi lojtarë më shumë tituj, që kanë ende uri dhe që e treguan edhe para një jave këtë gjë. Janë ata që do ta udhëheqin ekipin në këtë kampionat”. / Vipsport.al