“Rrengu” i gjeorgjianëve, trajneri ankohet për vizën e një lojtari… tribune!

Tekniku i Torpedos, Kakhaber Çkhetiani, është ankuar para medieve shqiptare për shkak se dy lojtarët e tij nuk janë pajisur me vizat shqiptare. Kundërshtarët e Kukësit do të duhet të bëjnë pa dy lojtarë… që as nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit.

Arfang Dafe është një nga futbollistët që nuk është pajisur me vizë, por që në ndeshjen e parë, luajti vetëm 10 minutat e fundit. Ndërsa lojtari tjetër, Gleofilo Haselbank e ndoqi ndeshjen kundër Kukësit nga tribuna.

Duke u munduar t’i tregojë medieve shqiptare për problemet me vizat që skuadra e tij ka patur, trajneri i Torpedos tha:

“Ne nuk jemi përgjegjës për ambasadën, jemi klub. Ne kemi informuar ambasadën dhe kërkuam ta zgjidhim problemin, ndërhymë për ta rregulluar, madje po ju them se edhe ne kemi probleme me 2 lojtarë, që nuk kanë marrë vizën shqiptare.

Arfang Dafe, që është nga Senegali, dhe Gleofilo Haselbank, nga Surinami, kanë aplikuar që më datë 2 gusht, por nuk janë pajisur me vizë. Ne nuk akuzojmë as klubin e Kukësit dhe askënd, janë thjesht procedura.

Të jem i sinqertë nuk e prita një rezultat të tillë, dukë parë përvojën e Kukësit në këto kompeticione. Nuk jemi aspak të relaksuar për ndeshjen e kthimit, asgjë nuk ka mbaruar.

Kemi parë që në futboll janë përmbysur rezultate dhe kjo na bën që të jemi të përqendruar në maksimum dhe të bëjmë më të mirën tonë.”