Ronaldo i paraprin vështirësive në Itali, merr nga Reali “ilaçin” e Championsit

Juventusi duket se ka një simpati të madhe për lojtarët dhe stafin e Real Madridit, pasi ylli portugez Kristiano Ronaldo nuk është i vetmi që është bashkuar me bardhezinjtë gjatë kësaj merkatoje të verës.

I larguari i dytë nga Reali, që do të bashkohet me Juventusin është Havier Santamaria. Ndoshta, si emër mund ta njohin vetëm tifozët më të zjarrtë të Realit, por në fakt, fizioterapisti dhe masazhieri Santamaria është një ndër protagonistët kryesor në triumfet dhe sukseset e Real Madridit.

Ai ka ndihmuar Kristiano Ronaldon që të mbajë një formë të mirë edhe pse në një moshë relativisht të madhe. Në tre vitet e fundit, Liga e Kampionëve ka pasur vetëm një “Zot” dhe ky ka qenë Reali e falë punës së Santamarias, fitorja është bërë më e lehtë.

Natyrisht, që për të përballuar një sezon të gjatë me shumë lodhje, vështirësi dhe dëmtime, duhet një njeri i cili mund të riaftësojë lojtarët në një kohë të shpejtë dhe Juventusi e di shumë mirë se Santamaria është një mjeshtër në këtë aspekt.

Me ardhjen e Santamarias në Torino, pritet që Ronaldo të jetë në të njëjtën formë që ishte edhe në Spanjë, ndërkohë që drejtuesit bardhezinj po punojnë fort që në “Allianz Stadium”, të transferojnë edhe brazilianin Marselo, miku më i mirë i Ronaldos te Reali. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/