Rexhinaldo kërkon falje: Më vjen keq për rastet e humbura, premtoj se do të kemi suksese

Kishte kaluar gjithë natën para ndeshjes në një udhëtim sfilitës por sulmuesi i Kukësit, Arturo Rexhinaldo, ishte gjithsesi lojtari më i rrezikshëm në fushën e lojës për skuadrën e tij në ndeshjen kundër Torpedo Kutaisi. Futbollisti krijoi disa raste para porte por edhe i shpërdoroi ato, duke humbur mundësi të mira për të mbajtur në lojë Kukësin për kualifikimin.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rexhinaldo ka insistuar t’u kërkojë falje tifozëve për këtë paraqitje të tij dhe u ka premtuar se do të arrijë suksese me verilindorët, edhe për të shpaguar besimin që klubi kishte vendosur mbi të.

“Na vjen keq për gjithë tifozët e Kukësit, për lojën dhe për shanset e humbura. Unë do të punoj më shumë dhe premtoj se do të kem sukses në këtë klub të madh. Unë u punësova për të shënuar gola dhe unë jetoj për ta. Arsyet janë të mëdha, për kolegët e mi, presidentin dhe stafin teknik e drejtorin sportiv, sepse ata vendosën shumë besim tek unë. Unë premtoj të kthehem”, ishin fjalët e Rexhinaldo në postimin e tij drejtuar tifozëve kuksianë. /vipsport.al/