Reali dërgon përfaqësues në Romë dhe Londër, gati dy “bomba” të merkatos

Në shtëpinë e Real Madridit, nuk ka qetësi pasi orët e fundit janë shumë të nxehta për sa i përket merkatos. Pak orë më parë, Kovaçiç u largua drejt Londrës ku firmosi me Çelsin, ndërkohë që edhe Modriç kërkon largimin te Interi.

Nga ana tjetër, në hyrje nuk ka pasur shumë lojtarë apo emra të mëdhenj që tifozët i duan, me përjashtim të talentit Vinisius dhe portierit belg të Çelsit, Tibo Kortua. Mesa duket, Reali ka vendosur që goditjet më të mëdha në merkato, t’i bëjë vetëm në ditët e fundit.

Media të ndryshme, raportojnë se klubi madrilen ka dërguar përfaqësues në Romë për të nisur negociatat me Lacion për shërbimet e mesfushorit serb, Milinkoviç-Saviç. Ai shihet si një ndër mesfushorët më të mirë në Botë dhe me paraqitjen që bëri sezonin e fundit, i ra në sy shumë ekipeve të mëdha europiane.

Të tjerë përfaqësues nga Real Madridi, janë nisur në drejtim të Londrës, aty ku synohet një tjetër mesfushor. Këtë herë bëhet fjalë për Kristian Eriksen i cili mbylli një sezon mjaft të mirë me Totenhemin, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar. Orët në vijim, pritet që të mbyllen marrëveshjet me këto dy lojtarë dhe në pistë të hyjnë emra të rinj për merkaton. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/