Osmani: Jemi për Kupat e Europës, Flamurtari është emër i madh

Tefik Osmani, tashmë i graduar si kapiten te Teuta, do të ketë një detyrë të vështirë për të realizuar objektivat e klubit së bashku me pjesën tjetër të skuadrës.

Në një prononcim për “Supersport”, ai shprehet se Teuta këtë sezon ka objektiv Europën dhe se me përgatitjet që janë bërë, ka besim se ky objektiv do të arrihet. Sa i përket takimit të ardhshëm ndaj Flamurtarit, ai ka vlerësuar kundërshtarin maksimalisht.

“Kam vetëm 2 javë që jam afruar dhe kam përshtypjen se është bërë fazë përgatitore e mirë pasi ka lojtarë me eksperiencë dhe të talentuar dhe deri ditën e ndeshjes do të jemi gati.

Objektivi dihet pasi duhet të jemi ekip që marrim pjesë në Europë. Nuk duhet të jemi skuadër që rrezikojmë, pasi dihet që Teuta është emër i madh në futbollin shqiptar.

Flamurtari? Është një ndeshje shumë e vështirë pasi Flamurtari është një skuadër me emër në Shqipëri por lojtarët që janë të kampionatit shqiptar njihen. Stafet teknike do ta kenë pak më të vështirë pas nuk njohin mirë lojtarët dhe nuk dinë si do të vendosen në fushë”, u shpreh Osmani. /Erjon Allaraj- Visport.al/