Osmani akuzon: Më tradhtuan, deshën të më bënin keq

Gjatë gjithë sezonit të kaluar, Tefik Osmani shprehej se këtë sezon do të luante në Europë me skuadrën e Skënderbeut dhe se si UEFA, ashtu edhe KAS-i do t’i jepnin të drejtë skuadrës korçare. Me vendimin e dhënë nga këto dy institucione, shumë lojtarë u larguan dhe njëri nga to ishte pikërisht Osmani, që firmosi në Durrës me Teutën.

Në një rrëfim për “Supersport”, Osmani ka treguar arsyet e vërteta se përse u largua nga Skënderbeu, duke i konsdieruar korçarët si tradhtarë të cilët e kishin larguar Osmanin. Ai shprehet se Teutës i kishte premtuar se do të afrohej, nëse me Skënderbeun nuk do të ecnin mirë punët.

“Teuta? Drejtuesit e Teutës, duke përfshirë presidentin dhe stafin teknik, kanë bërë të pamundurën për mua, duke më pritur deri tani. U kisha premtuar se nëse nuk do shkonin si duhet gjërat te Skënderbeu`, do vija te Teuta dhe ata më kanë pritur deri në këto momente. Në ambientin e Durrësit ndihem shumë mirë dhe tashmë do të jem edhe afër familjes, që jeton në Tiranë.

Largimi nga Skënderbeu? Osmani nuk ka tradhtuar, por është tradhtuar dhe mendoj se kanë tentuar të më bëjnë edhe keq. Megjithatë t’ia lëmë kohës dhe të shohim se kush do dalë më i humbur nga kjo. Falënderoj Teutën, pasi isha në rrugë dhe ata hapën derën e më morën në shtëpinë e tyre. Për Skënderbeun kam dhënë dhe pranuar gjithçka. Pas përfundimit të sezonit, unë isha lojtar i lirë dhe kisha kushtet e mia për të vijuar. Kam pritur shumë dhe ishte momenti që të merrja një vendim, ndaj mendoj se kam dalë unë i tradhtuar. Kam folur gjithmonë në sy dhe për këtë e mbaj kokën lart. Nga Skënderbeu nuk largohem dot, pasi aty kam familjen, jam rritur dhe mbi të gjitha jam tifoz i atij ekipi. E kisha menduar që karrierën ta mbyll në ekipet që kam pasur më për zemër dhe Skënderbeu ka qenë skuadra ime, por jo gjithçka varej nga unë, pasi vendimi është i drejtuesve.

Teuta ka pasur në përbërje lojtarë të talentuar, por edhe me eksperiencë. Mendoj se jemi një grup i mirë dhe një klub i lezetshëm, që në vazhdim mund ta quajmë edhe ekipi surprizë për këtë kampionat.

Shkëmbi? Fakti që kam luajtur me Blendin, më obligon që të të jem gjithmonë i pari dhe të jap maksimumin, për të shmangur ato gojët e liga. Gesin dua ta falënderoj, pasi më ka kërkuar edhe në telefon, edhe publikisht, por ai e di mirë se çfarë ndodhi me mua.

Mendoj se ekipi duhet të jetë në 3-4 vendet e para dhe Kupën e Shqipërisë e shikoj si një nga trofetë më të lehtë, pasi kampionatin është më i gjatë dhe duhen shumë lojtarë”, u shpreh Tefik Osmani. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/