Në Korçë presin shpjegime, në Turqi mburren me Nimagën: Ka eksperiencë në Europë

Largimi i Bakari Nimaga drejt Hatajspor në Truqi ka ngritur shumë pikëpyetje rreth këtij transferimi pasi me sa duket, klubi korçar ishte kundër tij dhe ka paralajmëruar masa për futbollistin. Ndonëse duket e çuditshme që lojtari të jetë “arratisur” pa leje drejt Turqisë me një kontratë ekzistuese në Korçë, fakt mbetet se ai ka nënshkruar për një vit më klubin turk.

“NImaga është futbollisti ynë, do të sqarohemi”, ishin fjalët e thëna nga drejtori sportiv i korçarëve, Haris Fakiç, për RTSH, një paralajmërim i qartë se me siguri lojtarin do ta presë një betejë ligjore në FIFA nëse nuk përmbush kërkesat e klubit.

Por në Turqi, te Hatajspor fërkojnë duart për këtë afrim cilësor që kanë siguruar në kategorinë e dytë të këtij vendi, pasi pavarësisht moshës së re, Nimaga ka shumë eksperiencë. “Ne shpresojmë që të ketë një sezon të suksesshëm këtu, pasi është kampion i Shqipërisë dhe ka eksperiencë në Ligën e Europës”, ishin fjalët me të cilat Nimaga u prezantua nga Ajdin Toksëz, një nga menaxherët e klubit pasi firmosi kontratën me ta. Se sa e vlefshme do të jetë kjo kontratë, mbetet të mësohet në ditët në vijim. /vipsport.al/