Murinjo thumbon Liverpulin dhe mbyll merkaton: Nuk vjen asnjë

Zhoze Murinjo ka pranuar se nuk pret blerje të reja te Mançester Junajtid gjatë ditës së sotme, kur mbyllet merkato e futbollistëve në Angli. Tekniku kishte deklaruar gjatë javëve të fundit se do ta kishte të vështirë të bënte diçka të mirë me skuadrën nëse nuk afroheshin lojtarë dhe me sa duket është dorëzuar që nuk do të arrijë gjë me “djajtë e kuq” në këtë edicion.

“Sipas informacioneve që kam, them se nuk ka blerje. Nuk kam shumë besim pasi merkato mbyllet sot, ndaj ka ardhur koha që të mos mendoj më për merkaton. Duhet të përqendrohem te lojtarët që kam për dy ndeshjet e para, ndoshta tre, pasi më pas do të jetë pushimi për kombëtaret dhe do të kem kohën për të riaftësuar lojtarë apo për t’i përgatitur më mirë”, tha Murinjo i cili ka dështuar në afrimin e emrave si Herri Meguajr, Zherom Boateng, Tobi Alderueireld dhe Jerri Mina.

Sipas Murinjos, mbyllja e sezonit të kaluar në vendin e dytë, 19 pikë pas kampionëve të Mançester Sitit, ishte një për t’u mbajtur mend. “Ai pozicion ishte një nga arritjet më të mëdha të jetës time, por shoh që skuadrat të cilat u renditën poshtë nesh, pasqyrohen sikur janë fitues të mëdhenj”, tha Murinjo, duke iu referuar këtu Liverpulit. /vipsport.al/